Karlos Tevez ka deklaruar se kërkon të qëndrojë për një kohë të gjatë te Mançester Siti… vetëm 6 ndeshje pasi u kthye nga eksodi i tij 5 mujor.
Tevez dukej se do të largohej përfundimisht nga kjo skuadër gjatë janarit, pasi ishte shumë pranë transferimit te Milani, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ai u detyrua të kthehej te ky ekip.
Argjentinasi u bë menjëherë protagonist me skuadrën duke e ndihmuar që të ringjallte shanset për titullin kampion, pasi shënoi katër gola në 3 ndeshjet që është aktivizuar si titullar deri tani, ndërsa pritet që të jetë titullar edhe në derbin kundër Mançester Junajtid.
“Ky klub ka ndërtuar diçka të veçantë gjatë viteve të fundit. Ishte ky projekt dhe kjo ëndërr që më bëri të vij te Siti që në fillim. Unë kam qenë këtu që në fillimin e projektit dhe ndaj të njëjtën ëndërr me sheikun Mansur”.
“Ai ka qenë gjithmonë i shkëlqyer me mua dhe unë dua t’ia shpërblej besimin dhe të qëndroj këtu sado që të nevojitet për ta bërë këtë projekt të suksesshëm. Jam një person ambicioz. Dua të punoj dhe të fitoj tituj me Sitin. Kjo është gjithçka që ka kuptim për mua, si lojtar dhe person”, tha argjentinas.
Ndërkohë, çudia e dytë vjen nga trajneri Mançini, i cili pak kohë pasi e ka cilësuar “të padëshiruar”, “të mbaruar” apo “arrogant”, është i bindur se argjentinasi do të shkruajë historinë e klubit.
“Mendoj se Karlos është i destinuar të shënojë golin më të rëndësishëm në historinë e klubit”, ishin fjalët e trajnerit italian, duke aluduar për derbin që luhet sonte dhe që mund t’i japë titullin kampion Sitit. (LajmeShqip.com)