Kristiano Ronaldo po rishkruan historinë te Real Madrid me golat e tij, duke realizuar deri tani 140 të tillë në vetëm 138 ndeshje. Por futbollisti më i shtrenjtë në botë, tregon se shpesh ndjen nostalgji për Mançester Junajtid, skuadrën që e shiti te madrilenët për 80 milion paund 3 vite më parë.
“Unë flas shpesh me Sër Aleks dhe sigurisht që ndjej nostalgji për Mançesterin. Kam kaluar 6 vite me ata djem dhe kam një marrëdhënie të mirë me Ferguson dhe pjesën tjetër të ekipit. Vazhdoj të komunikoj me Rio Ferdinand, Nani, Anderson dhe Patris Evra. I shoh ata ende si një familje e madhe, sigurisht që ndjej mungesën e tyre. Po ajo që më mungon më shumë është keku që shërbenin në Kerrington menjëherë pas stërvitjes”, ishte batuta e portugezit.
I pyetur rreth gjërave specifike të stërvitjes me Aleks Ferguson, Ronaldo lëshoi një tjetër batutë: “Më mungon humor i tij gjatë gjithë kohës! Gjithmonë i lumtur!”, ishin fjalët e tij, ndërsa dihet që Aleks Ferguson është një prej trajnerëve më nervozë në dhomat e zhveshjes, aq sa të thërriturat e tij pranë fytyrës së lojtarëve kanë marrë nofkën “tharëse flokësh”.
“Momentet e mia më të lumtura në karrierë kanë qenë fitorja e Ligës së Kampioneve me Mançester Junajtid dhe trofeu i parë që mora këtu në Spanjë me Real Madrid. Sigurisht që kam edhe shumë gjëra për të cilat kam keqardhje që nuk i kam realizuar. Por unë mundohem gjithmonë të përmirësohem”.
“Po pres me padurim që të fillojë Kampionati Evropian dhe pres që të bëjmë shumë me Portugalinë. Ne jemi në një grup të fortë dhe do të jetë e vështirë të mundim Gjermaninë dhe Holandën, por besoj se kemi mundësinë të bëjmë përpara në këtë turne fantastik”, tha portugezi i cili nuk hodhi poshtë idenë e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike Londër 2012. (LajmeShqip.com)