Kristiano Ronaldo është lideri i padiskutueshëm i këtij Real Madridi dhe këtë e tregojnë më së miri golat e shënuar. Me tre golat e derbit, portugezi ka arritur kuotën e 40 rrjetave të tundura në kampionat, ndërsa ka çuar në 52 totalin sezonal me fanellën e madrilenëve.
Lojtari tregon se kampionati mbetet i hapur, por fitorja ndaj Atletikos ka qenë një gëzim shumë i madh pasi ndeshja përjetohej me shumë tension.
“Mbetet edhe pak deri në fund të sezonit por mendoj se kampionati është i hapur. E përballuam këtë ndeshje më shumë tension pasi e dinim që Barcelona kishte fituar. Kjo është arsyeja pse jemi shumë më të lumtur pasi shkuam prapë në +4 pikë”.
“Meritat për fitoren? Unë gjithmonë falënderoj shokët e skuadrës, pasi pa ata do të ishte e pamundur që të shënoja gola”.
“E vërteta është që e dinim se do të ishte një ndeshje shumë komplikuar. Atletiko luajti mirë dhe shumë fort. Jam i lumtur që shënova por edhe që dhashë një pasim për gol”.
Në fund, dy fjalë për ndeshjen e 21 prillit ku Real Madrid do të udhëtojë drejt Barcelonës për përballjen direkte të shumëpritur mes dy skuadrave rivale.
“Unë nuk kërkoj asnjë rekord personal, vetëm tituj për Real Madrid. Nuk mund ta mendojmë se e kemi fituar kampionatin, por nëse fitojmë në “Kamp Nou”, do t’i shkojmë shumë afër. Fjala humbje nuk ekziston në fjalorin tim”, tha lojtari i cili ka premtuar se do të sillet mirë në takimin e fundjavës kundër Sporting Gijon për të mos marrë një karton të verdhë që mund ta lërë pa luajtur në “El Clasico”. (LajmeShqip.com)