Kristiano Ronaldo ka qenë padyshim lojtari më i zhgënjyer pas humbjes me penallti të Portugalisë përballë Spanjës. Portugezi jo vetëm që nuk arriti të realizonte objektivin e tij për të shkuar në finale, por tregoi edhe një herë se dëshira për të rënë në sy shpesh e çon në penalizmin e kombëtares së tij.
CR7, me dëshirën për t’u kthyer në një hero për kombëtaren, vendosi që të gjuante penalltinë e 5-të, që mund të ishte vendimtarja për fatet e përfaqësueses së vendit të tij. Por gabimi i Alvesh dhe saktësia e Fabregas prishën tërësisht planin e futbollistit që mbeti i hutuar në mesin e fushës pa patur mundësinë të shkonte te pika e bardhë.
“Nëse do të ishim 4-4 dhe ai do të kishte gjuajtur penalltinë e fundit, tani do të kishim folur ndryshe. Kjo është çështje strategjie dhe atë strategji e kishim caktuar më përpara”, ishin fjalët e trajnerit Bento që mbrojti vendimin për të lënë Ronaldon si gjuajtës i pestë.
Ndërsa vetë lojtari ka deklaruar se vendimi nuk kishte ardhur për shkak të gabimit të tij me Real Madrid kundër Bajern Mynih.
“Penalltitë janë lotari, Spanja ishte me fat dhe e përgëzoj për këtë. Gjatë ndeshjes ishim të balancuar dhe duhet të jemi krenarë me atë që shfaqëm në fushën e lojës, u larguam me kokën lart”.
“Ndeshja ishte e bukur dhe Spanja krijoi raste në fund pasi bëri zëvendësime më të mira me Navas e Pedro. Kush i gjuajti penalltitë nga ne e bëri mirë punën e tij. Mund të gjuaja i dyti, i treti apo i pesti, por zgjedhja ime nuk u bë nga “fantazma” e penalltisë së humbur ndaj Bajern”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Gjysmëfinalet
Portugali-Spanjë 0-0 (2-4 p.)
28.06.2012
Gjermani-Itali 20:45
Finalja
01.07.2012
Spanjë- Gjermani/Itali 20:45