Derek Çisora ka kërkuar falje publike për ngjarjet e fundjavës duke u munduar kësisoj të shpëtojë karrierën e tij në ringun profesionist. 28 vjeçari lëshoi një deklaratë ku kërkoi falje për incidentin e trefishtë në të cilin u përfshi, duke filluar nga shpulla ndaj Vitali Kliçko, pështyma ndaj Vladimir Kliçko e më pas zënka e turpshme ndaj Devid Hej.
“Kërkoj falje për atë që kam bërë, për skenat e turpshme para dhe pas asaj që duhej të ishte nata më e madhe e karrierës time. Nuk mund të futem në detaje pasi ka një hetim për këtë çështje, por e konfirmoj që më kanë çarë me shishe. E pranoj që veprimet e mia ishin joprofesionale, me apo pa provokim dhe minimumi që mund të them është se jam i turpëruar nga skenat që shfaqen në media”, ishte deklarata e Çisora.
Ky i fundit, i cili çuditi të gjithë duke rezistuar më së miri ndaj Vitali Kliçko, është lënë i lirë nga policia e Mynihut dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë. Gjithsesi, më datë 14 mars ai do të dalë para një paneli të Federatës Angleze të Boksit, ku do të shqyrtohet ngjarja dhe do të vendoset nëse ai do të përjashtohet apo jo. Minimumi i mundshëm do të jetë një gjobë e cila i tejkalon fitimet që ai mori falë ndeshjes me Kliçkon.
Nga ana tjetër, mbetet ende e panjohur vendndodhja e Devid Hej, por të paktën dihet që ky i fundit ka mbërritur në Angli. Në deklaratën për shtyp të lëshuar nga kampi i tij, ish-boksieri ka bërë të qartë se do të bashkëpunojë me autoritetet sapo t’i jepet mundësia.
“Unë nuk jam një engjëll, por dua të the të drejtën se në asnjë moment të karrierës time nuk kam qenë as dëshmitar i një skene të tillë. Nëse do të më kërkohet, do të ndihmoj autoritetet e boksit me hetimet, duke shpresuar që të gjithë të mësojnë nga ky incident”, ishin fjalët e Hej, i cili ka shpjeguar se ishte “arratisur” nga Mynihu pasi ishte frikësuar nga kërcënimet publike për vdekje të Çisora. (LajmeShqip.com)