Ashtu siç pritej, mungesa e Derrik Rouz i ka shkaktuar probleme të mëdha skuadrës së Çikagos, e cila është dorëzuar në shtëpi përballë Filadelfias me rezultatin 109-92. Ekipi mik ka bërë maksimumin për të përfituar nga mungesa e yllit të ekipit kundërshtar dhe këtë e tregon më mirë fakti se dy organizatorët e kësaj skuadre, Evan Tërner (19 pikë, 7 topa në tabelë, 6 pasime) dhe Xhru Holidei (26 pikë, 6 pasime), kanë patur një ndeshje të shkëlqyer duke çarë shpeshherë mbrojtjen kundërshtare me depërtimet e tyre. Falë kësaj fitoreje në fushën kundërshtare, Filadelfia barazon bilancin e serisë në 1-1, ndërsa merr kontrollin e saj pasi luan dy ndeshjet e radhës në shtëpi.
Edhe Boston ka arritur të marrë një fitore në transfertë, duke mundur 87-80 skuadrën e Atlantas dhe duke barazuar serinë në 1-1. Me mungesën e Razhan Rondo të pezulluar, protagonisti i mbrëmjes ka qenë Pol Pirs me një ndeshje të jashtëzakonshme ku ai regjistroi 36 pikë e 14 topa në tabelë. Me kalimin e ndeshjeve në fushën e Boston, tashmë janë këta të fundit që duken favoritë për të kaluar këtë seri ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë.
LA Leikërs e kanë patur më të thjeshtë të mundnin Denver për herën e dytë radhazi me rezultatin 104-100. Kalifornianët kanë krijuar një avantazh të rëndësishëm prej 19 pikësh në periodën e tretë dhe më pas e kanë ruajtur atë deri në fundin e ndeshjes, duke marrë një sukses që çon serinë në 2-0 dhe afron raundin tjetër të play-off. Ndeshja u vendos nga paraqitja e jashtëzakonshme treshes së LA Leikërs: Kobi Brajant (38 pikë), Endriu bainëm (27 pikë, 9 topa në tabelë) dhe Pau Gasol (13 pikë, 10 topa në tabelë, 5 pasime). (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston (1)-Atlanta (1) 87-80
Filadelfia (1)-Çikago (1) 109-92
Denver (0)-LA Leikërs (2) 100-104
Sonte
Utah (0)-San Antonio (1)
Indiana (1)-Orlando (1)
LA Klipërs (1)-Memfis (0)