Pivos Erotokritu, president i APOEL
“Real Madrid është klubi më i madh në Evropë. Për ne është një nder thjesht të jemi këtu dhe është një nder të kemi shansin të luajmë kundër Realit. Sidomos ndeshjen e parë në fushë tonë, e gjithë Qipro do të jetë aty për ta parë. Ne e dimë që nuk kemi shanse, por çfarëdo shansi që të kemi do ta provojmë pasi nuk kemi çfarë të humbasim. Kualifikim? Pse jo? Luhet 11 kundër 11. Në disa raste, entuziazmi dhe dëshira për fitore mund të ngushtojnë diferencat”.
Emilio Butragenjo, drejtor i marrëdhënieve me jashtë i Real Madrid
“Kishte disa kundërshtarë të mundshëm shumë të rrezikshëm që ne dëshironim të evitonim dhe ia arritëm qëllimit. Por kjo nuk do të thotë se do të jetë një kualifikim i lehtë. Çdo klub që mbërrin çerekfinalet është në gjendje të tregojë nivel të lartë në këtë turne. Ndeshja e parë, në stadiumin e tyre dhe para publikut të tyre, do të jetë shumë e vështirë por kemi fatin që takimin e dytë ta luajmë në “Santiago Bernabeu”, i cili në netët evropiane kthehet në një ambient shumë të vështirë për çdo rival”. (LajmeShqip.com)