Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit në Angli, Martin Glenn, ka mirëpritur idenë që Chelsea dhe Tottenhami të luajnë në Wembley deri sa të ndërtojnë stadiumet e tyre.
Chelsea është duke rritur kapacitetin e Stamford Bridget në 60 mijë ulëse, ndryshim që do t’i detyronte “Blutë” që ndeshjet si vendas ti luajnë në stadium tjetër për të paktën dy sezone.
Edhe Spurs besohet se në sezonin 2017-18 do të luajë jashtë White Hart Lane-it, që do të zgjerohet për të mundësuar mbajtjen e ndeshjeve të futbollit amerikan.
Të dy klubet kanë shprehur interesim që të luajnë në Wembley, stadium me 90 mijë ulëse, dhe shefi ekzekutiv i FA-së beson se kjo mund të ndodhë.
“Nuk do të komentoj për klubet, por nëse kjo është një prej mundësive ne do ta ndjekim atë. Ne jemi këtu të ndihmojmë. Mund të udhëheqim federatën me më pak shpenzime dhe mund të fitojmë më shumë. Ka disa gjëra këtu. Primare është stadiumi i futbollit, ndeshjet futbollistike janë më profitabile sesa koncertet apo tjerat. Ai është stadiumi kombëtar dhe duhet ta shfrytëzojmë më shumë. E kemi obligim ndaj futbollit. Është në interes tonin si federatë për klubet që të rindërtojnë stadiumet e tyre dhe nëse është e mundshme që ndërkohë të përdorin Wembleyn, jemi përkrahës”, ka thënë ai, raporton “SkySports”, transmeton koha.net.