Çezare Maldini ka bërë një bilanc të shkurtër të asaj që po ndodh kohët e fundit në futbollin italian në përgjithësi dhe sidomos për luftën për titullin kampion mes Milanit dhe Juventusit. Ish-futbollisti i kuqezinjve tregon se shpreson që skuadra e tij e zemrës të fitojë këtë sfidë.
“Unë shpresoj që titullin ta fitojë Milani, pasi është skuadra me të cilën jam tifoz. Juventusi ka karakter dhe do të jetë një duel bukur. Shpresa ime është që kampionati të ngjyroset përsëri kuqezi”.
“Nesta dhe Sedorf te Juventus? Nuk e besoj, e hedh poshtë kategorikisht si mundësi. Në ditët e sotme gjëra të tilla nuk bëjnë më përshtypje, por nuk dua ta mendoj një hipotezë të tillë. Pirlo? Na ka munguar shumë, vitin e kaluar ishte i dëmtuar ndërsa tani po luan në një mënyrë të shkëlqyer. Milani nuk e ka më një futbollist si ai”.
Më pas, ai ka folur edhe për të ardhmen e djalit të tij, Paolo Maldini, i cili pritet që vitin tjetër të shkojë te PSZH për t’u bërë trajner i repartit të mbrojtjes te ekipi francez. “Kjo është në hipotezë e mundshme. Paolo ka një raport të mirë me Leonrdon dhe Ançelotin, si dhe njeh edhe vetë presidentin PSZH”.
Në fund, nuk mund të mungonte një batutë për personazhin italian të kohëve të fundit, Mario Balotelin dhe faktin se kuqezinjtë janë një prej skuadrave që e admirojnë atë dhe do të dëshironin ta merrnin gjatë merkatos së verës.
“Baloteli te Milan? E njoh ambientin kuqezi, nëse nuk sillesh mirë, nuk të lënë të hysh as te dera e klubit. Një lojtar që luan te Milani duhet të nderojë fanellën dhe ngjyrat e saj 24 orë në 24, 7 ditë në 7. Sigurisht, lojtarët nuk janë shenjtorë, por Baloteli ka disa probleme karakteri. Po nuk kam dyshim që ai ka një talent të jashtëzakonshëm”, tha Maldini. (LajmeShqip.com)