Çelsi do të ishte gati të bashkëpunonte me Bajern Mynih për të anuluar pezullimet e dënimeve me karton të verdhë të 6 lojtarëve të të dy skuadrave që do të mungojnë në finalen e Ligës së Kampioneve. Këtë e ka pranuar vetë trajneri i skuadrës londineze, Roberto Di Mateo, ndonëse edhe ai ka pranuar se do të ishte shumë e vështirë që UEFA të bindej e të ndryshonte këtë rregull pikërisht pak ditë para ndeshjes së 19 majit në “Allianz Arena”.
Kërkesa e bërë të premten nga sindikata ndërkombëtare e futbollistëve, FIFPro, mori përgjigje negative nga institucioni që drejton futbollin evropian pasi zyrtarë të saj deklaruan se nuk mund të jepnin amnisti për lojtarët që merrnin kartonë të verdhë.
“Nëse ekziston ndonjë mundësi, ne do ta marrim parasysh bashkëpunimin me Bajern. Por mendoj se do të ishte shumë e vështirë që të realizohej. Ndoshta ata duhet të ndryshojnë këtë rregull në të ardhmen. Tani duket shumë e vështirë, ndonëse do të ishte në të mirën e të gjithëve që ta bënin një ndryshim të tillë tani”, tha Di Mateo.
Çelsit do t’i mungojnë mesfushorët Ramires dhe Meireles, ashtu si edhe mbrojtësi Ivanoviç.
Ndërkohë, për Bajern do të mungojnë mbrojtësit Badshtuber e Alaba, si dhe mesfushori Luiz Gustavo. (LajmeShqip.com)