Nuk është vetëm Serie A, sirena që po këndon për ta tërhequr në gjirin e saj. Për uliksin shqiptar, Lorik Cana, është një ansambël i tërë hirushesh që duket se do të bëjnë garë kush e kush ta marrë më përpara.
Të paktën kjo është fjala që thotë menaxheri i futbollistit, turku Xhejlan Çalishkan.
Në radhë, sipas menaxherit, janë Totenham, Everton dhe Fulham nga Premier Liga angleze si dhe Shalke, Hamburg dhe Shtutgart nga Bundesliga gjermane.
“Është e vërtetë që Lacio kërkon ta marrë Canën, por klubi italian duhet të bëjë përpjekje të mëdha për ta marrë atë”, tha Çalishkan, cituar nga gazeta e madhe sportive turke “Fanatik”, por edhe nga media të tjera turke.
“Totenhami, Evertoni dhe Fulhami e duan në Angli dhe po ashtu Shalke, Hamburg e Shtutgart janë të gatshme t’i bëjnë ofertë Gallatasarajit”.
Cana ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë, ndonëse mbetet i dyzuar mes dëshirës për të vazhduar në klubin turk dhe asaj për të shkuar sërish në një kampionat të madh, siç është Serie A, Premier Liga dhe Bundesliga.
Mesfushori 27-vjeçar shqiptar, lojtar i aftë për të luajtur edhe ne qendër të mbrojtjes, po kalon momente nga më të mirat në karrierë, si në ekipin e tij, ashtu edhe në përfaqësuesen e Shqipërisë, ndërsa ka provuar disa përvoja të rëndësishme gjatë viteve të futbollit profesionist.
Pasi luajti me Paris SG, kosovari veshi fanellën e Olimpikut të Marsejës, duke u bërë kapiten i klubit francez dhe pastaj shkoi në Premier Ligë tek Sandërlendi ku gjithashtu u bë kapiten.
Në pritje të tërheqjes së veteranit të Hanoverit, Altin Lala, Cana i ka të gjitha gjasat që të bëhet kapiteni i ri i kombëtares kuq e zi, me të cilën shpreson të shkojë në një turne të madh, duke nisur që nga finalet e Euro 2012.