Kupa e Afrikës do të shpallë fituesin e saj me një ndeshje që askush nuk do ta kishte parashikuar si finalen e turneut, Nigeri-Burkina Faso. Nëse fitorja e të parëve kundër Malit me rezultatin 4-1 ishte e pritshme, ajo me penallti e Burkina Fasos ndaj pretendentëve të Ganës ishte thuajse e paimagjinueshme.
Ndeshja e Nigerisë është mbyllur shpejt, pasi brenda një orë shënoi 4 gola me Eçiejile, Ideie, Emenike dhe Musa, ndërsa goli i Diarra shërbeu vetëm si ngushëllim për Malin, kombëtare që gjithsesi kaloi çdo parashikimin duke arritur deri në gjysmëfinalen e turneut.
Por takimi më entuziazmues i gjysmëfinaleve ka qenë padyshim ai mes pretendetëve të Ganës dhe Burkina Fasos, me këta të fundit që kanë luftuar në fakt edhe kundër një gjykimi tërësisht të njëanshëm. Gana kaloi në avantazh në minutën e 13-të falë një penalltie inekzistente, të realizuar më pas nga Uakaso. Por Burkina Faso arrin të reagojë dhe pas disa rasteve, gjen barazimin në minutën e 60-të me anë të Banse.
Në shtesën e ndeshjes ndodh gjithçka, pasi fillimisht Burkina Faso sheh t’i anulohet në mënyrë të padrejtë një gol i Nakoulma. Pastaj në minutën e 117-të, Pitroipa rrëzohet në mënyrë të dukshme në zonë, por gjyqtari i ndeshjes, në vend që të japë penallti, largon lojtarin më të mirë të Burkina Fasos nga fusha e lojës me karton të kuq.
Ndeshja shkon në penallti, ku Burkina Faso tregohet më e saktë sesa ganezët, në gjuajtjet e të cilëve gabojnë Vorsah, Klotei dhe Badu. Si rrjedhojë, surpriza e turneut shkon në finale për herë të parë, ndërsa Gana largohet kokulur nga një aktivitet në të cilin realisht nuk shkëlqeu asnjëherë. (LajmeShqip.com)