Gafa e Xhanluixhi Bufon mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Juventusit që në rast fitoreje do të kishte hedhur një hap më të rëndësishëm drejt titullit kampion. Për këtë arsye, portieri i bardhezinjve, në fund të takimit, u ka kërkuar falje të gjithëve.
Pas vërshëllimës përfundimtare, ai ka hequr dorezat dhe i ka kërkuar falje të gjithë publikut në stadium për gabimin që ka bërë duke u munduar të driblonte kundërshtarin, ndërsa në fakt ia ka dhënë topin në këmbë duke e lejuar që të shënonte në portën e tij.
“Na ka kërkuar falje të gjithëve në dhomat e zhveshjeve”, ishin fjalët e mëvonshme të Markizios. Por në fakt nuk ka qenë nevoja që të konfirmohej, pasi keqardhja e portierit u kuptua nga të gjithë. Jo rastësisht, i pari që ka shkuar për ta ngushëlluar ka qenë miku i tij i vjetër, Alesandro Del Piero, ndërsa pas tij kanë qenë vetë futbollistët e Leçes që kanë ngushëlluar portierin e përfaqësueses italiane.
Ndërkohë, trajneri Antonio Konte i ka bërë thirrje skuadrës të harrojë sa më parë këtë episod dhe të përqendrohet te sfida e fundjavës kundër Kaljarit. “Ishte një fatkeqësi, si të humbësh gol kur je dy metra larg portës. Tani jemi të detyruar të fitojmë dy ndeshje që na mbeten. Nëse do ia arrijmë, komplimente për ne, nëse jo, do të thotë që nuk jemi ende gati për titullin kampion dhe do t’i bëjmë komplimente skuadrës që na ndjek”, ishin fjalët e trajnerit të Juventus. (LajmeShqip.com)