IFFHS ka botuar sot renditjen e portierëve më të mirë për shekullin në vitet 2001-2011. Klasifikimi i këtyre 11 viteve kryesohet nga Xhanluixhi Bufon, gardiani i Juventusit dhe kombëtares italiane, i cili është vetëm 2 pikë para Iker Kazijas, portierit të Real Madrid dhe Spanjës.
Të dy janë shpallur nga katër herë portierët më të mirë të vitit për këtë shekull, ndërsa deçiziv për këtë renditje do të jetë klasifikimi i vitit 2012 pasi vendi i parë dhe i dytë mund të ndryshojë lehtësisht për shkak të diferencës shumë të ngushtë mes tyre.
Ndërkohë, në vendin e tretë është portieri çek i Çelsit, Petr Çeh, i cili e ka fituar njëherë renditjen vjetore, ndërsa në vendin e katërt është holandezi Edvin Van Der Sar. Oliver Kahn, legjenda e portës gjermane është vetëm në vendin e 5-të, ndonëse ka fituar tre herë renditjen vjetore, por duhet kujtuar që një pjesë e madhe e karrierës së tij ka qenë në shekullin e 20-të.
Për momentin, portieri më i mirë i shekullit për Amerikën Latine është braziliani Nelson Dida, por pritet që brenda këtij viti, apo atij të ardhshmit, ai të kalohet nga bashkëkombasi i tij, Hulio Sezar.
Ndërkohë, një portier që mund të bëjë hapa para në këtë renditje të shekullit është Viktor Valdes i Barcelonës, i cili mban aktualisht vendin e 7-të në renditje. (LajmeShqip.com)
Renditja 2001-2011
1. Xhanluixhi Bufon 199
2. Iker Kazijas 197
3. Petr Çeh 154
4. Edvin Van Der Sar 116
5. Oliver Kahn 99
6. Nelson Dida 90
7. Viktor Valdes 82
8. Hulio Sezar 76
9. Jens Lehman 72
10. Roberto Abondancieri 68