Brazili mund të ketë së bashku në fushën e lojës Ronaldinjon, Neimar dhe Paulo Henrike Ganso, për ndeshjen miqësore kundër Bosnjës që do të luhet në Zvicër me 28 shkurt.
Të tre këta futbollistë u përfshinë në listën prej 23 emrash të grumbulluar nga trajneri Mano Menezes për këtë sfidë, e cila do të shërbejë për të përforcuar ekipin që synon të bëjë të vetën Kupën e Botës në vitin 2014.
Menezes e rreshtoi për herë të parë këtë treshe në miqësoren kundër Ganës në shtatorin e vitit të kaluar, takim që shënoi edhe rikthimin e Ronaldinjos në kombëtare, por Ganso u dëmtua pas pak minutash dhe u detyrua të largohej nga fusha e lojës.
Të tre lojtarët munguan në dy sfidat kundër Gabonit dhe Egjiptit në nëntor, pasi po luanin ndeshjet e kampionatit brazilian në atë periudhë.
Por në listën e Menezes mungojnë emra të njohur, duke filluar nga Rikardo Kaka, i cili me sa duket nuk është në planet e trajnerit për sa kohë që nuk aktivizohet te Reali i Madridit.
Bashkë me të, një mungesë tjetër e pa argumentuar është ajo e Robinjo, që nuk po kalon një periudhë të lumtur te Milan. Në vend të tyre, në vijën e parë të sulmit mund të aktivizohet sulmuesi i Portos, Hulk. (LajmeShqip.com)