Shkodër – Boksierët e ekipit përfaqësues të Shqipërisë kanë lënë sot qytetin e Shkodrës, ku u përgatiten për rreth një muaj për të udhëtuar drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në Kampionatin Europian të Boksit për kategorinë e të rriturve, një veprimtari kjo që ka vlerë edhe për kualifikimin në Lojrat Olimpike.
Në përbërje të delegacionit sportiv shqiptar janë katër boksierë: Xhulio Vrenozi, i Apollonisë, që do të konkurojë në peshën deri në 64 kg, Alban Bërmeta i Tiranës, në peshën 75 kg, Astmer Bilali i Vllaznisë, në peshën deri në 69 kg dhe Kristian Demaj, po i Vllaznisë, në peshën deri në 91 kg.
Trajner i parë i ekipit kombëtar është Zef Gjoni, që drejton ekipin kampion të Vllaznisë në kampionatin shqiptar, ndërsa ndihmës të tij janë Renato Kurti i Tiranës dhe Jozef Sermi i Vllaznisë.
Pas çaste përpara nisjes, boksierët dhe trajnerët e tyre u shprehën shumë optimistë se këtë herë boksi shqiptar nuk do të kthehet pa medalje nga Kampionati Europian. “Që të katër boksierët e formacionit kanë zhvilluar një fazë përgatitore model, kjo edhe falë kushteve mjaft të mira të krijuara nga ana e Federatës Shqiptare të Boksit”, u shpreh tekniku Gjoni.