Një virus gripal është bërë shkak që të shtyhet ndeshja për titullin WBO të boksierit kosovar Robin Krasniqi, i cili pritej të zbriste në ring në fundin e këtij muaji përballë kampionit Natan Klivërli.
Ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej në Londër më 28 prill, me kampionin uellsian që do tw mbronte titullin botëror përballë të riut të talentuar kosovar që ka ngjitur shumë shkallë në renditjen botërore falë sukseseve të regjistruara në vitin 2011, mes të cilave edhe fitoren e titullit evropian WBO për kategorinë deri ne 79 kilogram.
“Nuk kam qenë në gjendje të stërvitem pasi kam qenë në shtrat me një infeksion viral dhe nuk kam kohë mjaftueshëm për të rikuperuar atë që kam humbur në stërvitje në mënyrë që të sigurohem që jam plotësisht në gjendje të përballoj sfidën. Kam pranuar këshillën e doktorit që më ka thënë se duhet të pushoj plotësisht para se të rifilloj stërvitjen. Më vjen keq pasi shpresoja të luftoja me Krasniqin që të synoja titull të konferencave të tjera”, ishte deklarata e kampionit Klivërli.
Promotori Frenk Uorren ka bërë të ditur se kjo ndeshje nuk është anuluar, thjesht është shtyrë në një datë tjetër kur të dy boksierët të jenë në gjendje të mirë për t’u përballur në ring.
Aktualisht, Robin Krasniqi është sfidanti i katërt në radhë për titullin e konferencës WBO për peshën deri në 79 kilogram. (LajmeShqip.com)