Europa League do të përjetojë një finale tërësisht spanjolle pasi Atletik Bilbao dhe Atletiko Madrid do të vihen përballë njëra-tjetrës në ndeshjen e 9 majit në Bukuresht. Dy ekipet e kanë merituar këtë arritje falë një loje spektakolare që kanë zhvilluar gjatë të gjithë turneut, që e kanë dominuar që nga fillimi e deri tani.
Atletiko Madrid, pas fitores në shtëpi 4-2 në sfidën e parë gjysmëfinale kundër Valencias, ka arritur të fitojë edhe në fushën kundërshtare me rezultatin 1-0. Për skuadrën e Diego Siemones ka shënuar i zakonshmi Adrian, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës me një gjuajtje spektakolare në minutën e 60-të të ndeshjes. Por në finale, madrilenët nuk do të kenë në dispozicion Tiagon, i cili është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 78-të të sfidës.
Atletik Bilbao nga ana tjetër ka arritur të përmbysë humbjen 2-1 të sfidës së parë përballë Sporting Lisbonës. Protagonist i takimit ka qenë sulmuesi Lorente, i cili ka dhënë pasimet për dy golat e Susaeta dhe Ibai, ndërsa Van Volfsvikel shënoi për skuadrën portugeze. Kur kishin mbetur dy minuta nga fundi i takimit dhe skuadrat po shkonin drejt kohëve shtesë, Lorente vulos kualifikimin me golin e tij të shtatë në këtë edicion të Europa League, duke i dhuruar Atletik Bilbao arritjen më të madhe në historinë e këtij klubi. (LajmeShqip.com)