Revista e përjavshme “France Football” i ka dedikuar një speciale asaj që po ndodh në futbollin italian, përsa i përket skandalit të manipulimit të ndeshjeve. Faqja e parë ka si fotografi një oktapod, ashtu si edhe titullin e madh “Të Korruptuarit”, duke nënkuptuar lidhjet me mafian të futbollistëve italianë të përshirë në këtë skandal.
Editoriali i drejtorit të revistës prestigjioze, Zherard Ejner, titullohet “Siguri e neveritshme” dhe përshkruan këtë speciale aspak të këndshme mbi futbollin. “Në zemër të hetimit kaq edukativ dhe emocionues që po publikojmë, Prokurori i Përgjithshëm i Barit i ka dhënë të dërguarit tonë një intervistë ekskluzive në të cilën përmend këtë frazë të tmerrshme: ‘Fitohen më shumë para nëpërmjet basteve se sa nga droga’”.
Në brendësi, gjatë intervistës, prokurori italian Antonio Laudati shpjegon si ka nisur hetimi dhe cilat janë degëzimet që e lidhin me mafien dhe organizatat kriminale.
“Duhet reflektuar mirë, bota e futbollit nuk ishte gati për t’u përballur me këtë biznesin e madh të basteve sportive… fakti që mund të vësh baste gjatë ndeshjeve mbi atë që gjuan goditjen e parë nga këndi, apo faullin e parë… me këto baste po ekzagjerohet. Tani është tepruar me të vërtetë”, janë disa nga frazat e prokurorit italian. (LajmeShqip.com)