Dëshira e Migjen Bashës do të plotësohet. Duke filluar nga muaji i ardhshëm, kartoni i tij do t’i përkasë vetëm skuadrës së Torinos, ashtu siç shpresonte futbollisti i përfaqësues shqiptare të futbollit.
Lojtari është në bashkëpronësi mes Atalantës dhe Torinos, por shpesh ka shprehur dëshirën që të qëndrojë në radhët e këtyre të fundit, pasi te torinezët ka gjetur më shumë hapësira për t’u aktivizuar dhe për të treguar vlerat e tij. Mendohej se Torino dhe Atalanta do të nisnin diskutime të gjata për të ardhmen e futbollistit dhe se ndoshta bashkëpronësia e kartonit të tij do të rinovohej.
Por gazeta “La Stampa” ka njoftuar se tashmë është arritur një akord mes palëve, pasi Atalanta ka bërë të qartë se do të lërë të lirë futbollistin e kombëtares shqiptare. Kuptohet që drejtuesit e ekipit të Bergamos nuk duan të dalin duarbosh nga kjo marrëveshje dhe për këtë arsye, kërkojnë 700 mijë euro nga Torino.
Meqenëse drejtuesit torinezë e vlerësojnë shumë Bashën dhe kontributin që ka dhënë në dy sezonet e fundit, ata janë të gatshëm të paguajnë këtë shumë, për të mbajtur përsëri futbollistin në radhët e tyre.
Në momentin kur kartoni i Bashës të kalojë plotësisht në pronësi të Torinos, pritet që lojtari dhe klubi të ulen në tavolinën e bisedimeve për të rinovuar kontratën mes tyre. (LajmeShqip.com)