Dani Alvesh do të jetë emri i parë i madh që do t’i japë lamtumirën Barcelonës në fund të këtij sezoni pasi katalanasit po mendojnë të rindërtojnë ekipin gjatë mërkatos verore.
Disfata e katalanasve në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve ka bërë të qartë se duhen bërë përforcime dhe ndryshime në këtë ekip, ndërsa Alvesh është elementi që kohët e fundit ka shqetësuar më shumë Guardiolën. Ky i fundit u ka bërë të qartë drejtuesve se pasiguritë në prapavijë të mbrojtësit kanë qenë shpesh shkak i golave të pësuar dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të zëvendësohet gjatë verës.
Meqenëse braziliani ka një kontratë deri në vitin 2015, pritet që ai të shitet për rreth 30 milionë euro, ku në krye të listës është klubi rus i Anzhi. Pavarësisht interesimit të skuadrave si Mançester Siti e Mançester Junajtid, duket thuajse e pamundur që ndonjë skuadër tjetër përveç asaj ruse të paguajë këtë shifër për futbollistin e si rrjedhojë, ai pritet t’i drejtohet Rusisë, ku e ka bindur të shkojë Roberto Karlos.
Një tjetër lojtar që gjen pak hapësira dhe që mund të sakrifikohet është Pedro, lënë në hije si nga Fabregas, ashtu edhe nga Sançez në fillimin e sezonit. Kur mendohej se ai po fitonte përsëri vendin në formacion, shpërthimi i dy të rinjve Kuenka dhe Tejo i ka hequr mundësinë që të kthehet protagonist.
Lojtari i përfaqësueses spanjolle mund të shitet rreth 20 milionë euro dhe me paratë e siguruara prej tij, katalanasit do të plotësonin një pjesë të shumës që duhet për të siguruar një mes Garet Beil, Zhordi Alba dhe Robin Van Persi. (LajmeShqip.com)