Barcelona tashmë mendon vetëm si të mbrojë titullin në Ligën e Kampioneve, pasi edhe vetë futbollistët janë dorëzuar përballë faktit që Reali i Madridit do të shpallet kampion në Spanjë. Pike, Valdes e Pedro e kanë bërë të qartë që është e pamundur të rikuperohet distanca ndaj madrilenëve, e cila mund të shkojë në 10 pikë sot.
“Njerëzit nuk janë budallenj dhe ne nuk mund t’i gënjejmë. Janë shumë pikë diferencë. Do të vazhdojmë punën tonë pasi ka ende kampionat, por duhet të mendojmë për Ligën e Kampioneve. Megjithatë, shohim një titull që na largohet gjithnjë e më shumë nga duart. Do të jetë shumë e komplikuar të rikuperojmë”, ishin fjalët e qendërmbrojtësit Xherard Pike pas përfundimit të ndeshjes.
I të njëjtit mendim është edhe portieri Viktor Valdes. “Është shumë e vështirë të mendojmë për një rikuperim. Gabuam dhe tashmë vështirësuam gjithçka për kampionatin. Sot distanca shkon në 10 pikë dhe 10 pikë janë shumë po të shohësh gjendjen që po kalon Reali i Madridit”, tha ai.
“Vulën” kësaj çështje ia ka vënë Pedro, duke folur për televizionin e klubit katalanas. “Jemi të mërzitur. 10 pikë janë shumë për t’u rikuperuar. Edhe me 7 pikë diferencë ishte e komplikuar…”. (LajmeShqip.com)