Barcelona ka hedhur një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Mbretit, duke barazuar 1-1 në takimin e parë ndaj Valencias në fushën e kësaj të fundit. Por ndeshja nuk i ka shpëtuar polemikave pasi gjyqtari ka falur portierin e katalanasve Pinto, i cili duhej ndëshkuar me karton të kuq që në minutën e 18-të për prekje të topit me dorë jashtë zonës.
Vendasit kanë dominuar në fillimin e ndeshjes duke regjistruar raste të njëpasnjëshme. Ata arritën të gjenin rrugën e rrjetës me anë të Xhonas në minutën e 27-të, pas një aksioni të bukur në krah të Mathieu. Por avantazhi i vendasve zgjon Barcelonën që kërkon dhe gjen menjëherë barazimin.
Në minutën e 35-të, Pujol shënon golin e tretë sezonal pas një goditje nga këndi duke qetësuar skuadrën e tij. Më pas, janë katalanasit që dominojnë në mbajtjen e topit dhe krijojnë më shumë raste të rrezikshme. Në minutën e 56-të, Mesi humb mundësinë më të mirë për të shënuar falë një 11-metërshi të fituar nga Tiago Alkantara. Por portieri i Valencias, Diego Alvesh, gjen krahun e goditjes së argjentinasit duke ndalur gjuajtjen e tij nga pika e bardhë.
Në minutat e mbetura ka raste nga të dy palët por gjithçka mbyllet 1-1, me katalanasit që janë më të favorizuar pasi kanë ndeshjen e kthimit në fushën e tyre. (LajmeShqip.com)