Stafi dhe lojtarët e Barcelonës janë mbledhur dje së bashku për të drekuar në një restorant katalanas si mënyrë festimi për fillimin e pjesës së rëndësishme të sezonit.
Pas stërvitjes së paradites, të gjithë lojtarët dhe stafi teknik i ekipit, janë mbledhur në restorantin “Emperor Restaurant”, që gjendet në portin e Barcelonës.
Kjo drekë është organizuar nga vetë futbollistët, të cilët e kanë parë si një mënyrë argëtimi dhe çlodhje para nisjes së pjesës më të vështirë të sezonit.
Mungesa që ka rënë në sy ishte ajo e trajnerit Pep Guardiola, i cili ka qenë promotor i drekave dhe darkave të tilla në të kaluarën.
Ai nuk ka mundur të “shijojë” as fjalimet apo batutat e lojtarëve gjatë kësaj dreke, ku është përjetuar një atmosferë festive.
Me këtë drekë, lojtarët kanë dashur të tregojnë se nuk po kalojnë një periudhë tensioni siç është pasqyruar në media dhe se të gjithë brenda ekipit kishin si qëllim të luftonin së bashku, për Ligën e Kampioneve, Kupën e Mbretit e pse jo, edhe të kampionatit. (LajmeShqip.com)