Mario Baloteli është gati të fillojë të ndjekë seanca te psikologu për të zgjidhur problemet e sjelljes së tij që po i rrezikojnë karrierën. Meqenëse edhe trajneri Mançini ka deklaruar se nuk ka më durim për t’u marrë me lojtarin dhe do ta kishte goditur çdo ditë me grushte nëse do ta kishte patur shok skuadre, vetë futbollisti po kërkon që të zgjidhë këtë situatë të komplikuar në të cilën është përfshirë.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, 21 vjeçari ka pranuar se është gati të marrë ndihmë psikologjike. Një mik i tij ka konfirmuar për gazetën se në të kundërt me atë që thuhet, lojtari është gati të bëjë të pamundurën për të qëndruar në Angli dhe nuk kërkon të largohet nga ky klub gjatë verës.
“Mario nuk dëshiron të ikë nga Siti dhe ka pranuar se ka nevojë për ndihmë, pasi është edhe vetë i ndërgjegjshëm që ka dalë jashtë kontrolli. Ai është i përgatitur të marrë ndihmë profesionale në mënyrë që të qartësohet mbi atë që do të bëjë pasi ka talent dhe si po sillet, po rrezikon karrierën e tij”, ka deklaruar një mik i lojtarit.
Megjithatë, telashet e futbollistit nuk kanë të sosur, pasi po sot, në mediat britanike, është konfirmuar një tjetër histori “rozë” e lojtarit me një aktore filmash porno, e cila pretendon se është kushërirë e sulmuesit të Mançester Junajtid, Uejn Runi. Por nëse lidhja familjare mes Holli Henderson dhe Runit konfirmohet, Baloteli mund të kthehet përsëri në një idhull për tifozët e Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)