Tiranë – Sulmuesi shqiptar i Dinamos së Bukureshtit në kampionatin rumun, Elis Bakaj, shënoi sot golin e tij të parë në Rumani, në fitoren 3-1 të Dinamos ndaj Unirea Urziceni.
Lojtari i kombëtares shqiptare ka gjetur pas disa paraqitjesh pozitive golin për skuadren ku u transferua gjatë merkatos së dimrit nga Dinamo e Tiranës.
Bakaj ka qenë autori i golit të tretë në fitoren 3-1 që Dinamo Bukuresht arriti në fushën e vet kundër miqve të Unirea Urziceni. Kundërshtarët sezonin e kaluar u kualifikuan në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, madje ishin shumë pranë për ta përsëritur edhe këtë sezon, por tani renditen në vendin e parafundit në kampionatin rumun dhe rrezikon rënien nga kategoria.
Elis Bakaj ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes. Ky ishte goli i parë i Bakajt që është aktivizuar në shtatë ndeshje deri tani.
Sipas mediave rumune, ai ka bërë përsëri një lojë të mire në krahun e majtë të sulmit, por kësaj radhe ka arritur të gjejë edhe rrjetën, duke u konfirmuar si një blerje e goditur për Dinamon e Bukureshtit.
Me këtë fitore, Dinamo tani renditet në vend të katërt me 43 pikë, nëntë më pak se Otelul Galati që kryeson me 52 pikë, por me një ndeshje më pak. Dinamo Bukureshti është skuadra e dytë në Rumani për nga numri i titujve me 18 të tille, ku i fundit ka qenë në sezonin 2006-07.