Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund kanë festuar me dy fitore të thella në kampionat kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Si kampionët e saposhpallur të Bundesligës, ashtu edhe ata të sezonit të kaluar, kanë treguar se janë në një formë të shkëlqyer në momentin më vendimtar të sezonit të tyre.
Bajern ka mundur pa probleme Nyrenbergun me rezultatin 4-0 në “Allianz Arena”, para 71 mijë spektatorëve, ndonëse Heinkes i kishte dhënë hapësirë shumë lojtarëve që kanë luajtur më pak kohët e fundit në radhët e bavarezëve duke lënë pushim titullarët. Gjithsesi, superioriteti i tyre ka qenë i padiskutueshëm, ndërsa në listën e golashënuesve ka figuruar edhe Xherdan Shaqiri, që luajti si titullar në këtë sfidë.
Edhe Borusia Dortmund ka regjistruar një goleadë, duke mposhtur me rezultatin 6-1 ekipin e Grojter Fyrth që mban vendin e fundit në tabelë. Skuadra e Klop ka dashur të shpalosë arsenalin e plotë sulmues, jo sepse lufton për ndonjë objektiv domethënës në kampionat, por sepse në shkallët e stadiumit ka qenë i pranishëm Zhoze Murinjo, i cili ka vëzhguar nga afër rivalët e radhës të Realit të tij në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Bundesliga
Java 29 / Rezultatet
Bajern Mynih-Nyrenberg 4-0
5’ Boateng, 17’ Gomez, 24’ Rafinja, 56’ Shaqiri
Fortuna Dyseldorf-Verder Bremen 2-2
2’, 48’ Raisinger / 16’ Junuzoviç, 70’ Latka
Grojter Fyrth-Borusia Dortmund 1-6
71’ Prib / 12’, 45’ Gëtze, 15’, 33’ Gyndogan, 29’ Blaszczikovski, 81’ Levandovski
Mainz-Hamburg 1-2
86’ Parker / 61’, 81’ Son
Volfsburg-Hofenhaim 2-2
13’ Arnold, 86’ Naldo / 35’ (p) Salihoviç, 63’ Bek
Klasifikimi: Bajern Mynih 78 pikë; Borusia Dortmund 58; Bajer Leverkusen 49; Shalke 45, Fraiburg 45; Eintraht Frankfurt 42; Hamburg 41, Borusia Mynshengladbah 41; Mainz 39; Nyrenberg 38; Hanover 38; Volfsburg 34; Shtutgart 33; Verder Bremen 32; Fortuna Dyseldorf 30; Augsburg 24; Hofenhaim 21; Grojter Fyrth 15.