Atletiko Madrid dhe Sporting Lisbona kanë siguruar një avantazh minimal në rrugën drejt finales së Europa League pasi kanë fituar ndeshjet respektivisht ndaj Valencias dhe Atletik Bilbaos në takimet e para gjysmëfinale të këtij turneu.
Atletiko Madrid dominoi të gjithë ndeshjen kundër Valencias, por pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1 pas golave të Falkaos dhe Xhonas, ndonëse vendasit meritonin më shumë. Por madrilenët treguan forcën e tyre të vërtetë duke dhuruar spektakël në 45 minutat e dyta. Brenda pak minutash, Atletiko shënoi me anë të Miranda dhe Adrian, ndërsa në minutën e 77-të ishte Falkao që shënoi golin e katërt për skuadrën e tij me një aksion individual spektakolar. Në këtë moment edhe kualifikimi dukej mëse i siguruar, por një gol në minutën e 94-t të ndeshjes nga Rikardo Kosta, çoi rezultatin në 4-2 dhe vuri në dyshim rezultatin përfundimtar të kësaj sfide, pasi Valencia i ka mundësitë që të fitojë me dy gola diferencën në fushën e saj në ndeshjen e kthimit.
Në ndeshjen e Lisbonës, mes Sporting dhe Atletik Bilbao, ekipi portugez ka marrë një avantazh të lehtë falë fitores 2-1, por spanjollët kanë treguar se vazhdojnë të jenë ata pretendentë për të shkuar në finale. Në fakt ishte ekipi i Bielsas që kaloi i pari në avantazh me anë të Aurtenetse, por më pas dy gola të Insua dhe Kapel në minutat e fundit të ndeshjes, përmbysën rezultatin në favor të Sporting. (LajmeShqip.com)