Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka dhënë një intervistë për “Italia 1” që do të shfaqet të shtunën në darke, ndërsa ajo pritet të krijojë polemika për shkak të temave që ka prekur, sidomos përsa i përket procesit “Calciopoli”, ku bardhezinjtë ishin protagonistë absolutë.
“T’i heq diçka Interit e Milanit si shaka për Karnavale? Zikaltërve nuk kam çfarë t’u heq se titulli i vitit 2006 është i yni, ndërsa Milanit do t’i hiqja Ligën e Kampioneve të vitit 2003. Titulli i vitit 2006 është një çështje drejtësie, pasi kanë dalë në skenë fakte të reja të cilat kanë modifikuar tërësisht ato të 6 viteve më parë dhe për këtë arsye do të vazhdojmë të ndjekim besimin tonë në çdo seli të mundshme. Në atë periudhë, Moxhi ishte më i miri nga të gjithë. Ndërsa Xhiraudo për mua ka qenë një pikë referimi, si një baba, e si i tillë kishte dashamirësi dhe konfliktualitet mes nesh”.
Më pas, ai ka treguar edhe se si ka ndryshuar ekipi në krahasim me të kaluarën. “Ai që na ka ndryshuar më shumë ekuilibrat në ekip ishte afrimi i Barzaljit. Del Neri kishte një detyrë shumë të vështirë, pasi ishte fillimi rinovimit, ndërsa Konten e njoh prej 20 vitesh, ishte zgjedhja natyrale. Juventus për familjen time ka qenë gjithmonë një pasion gjithëpërfshirës por jemi më shumë se100 vetë dhe nuk e di nëse të gjithë janë bardhezi në zemër. Për ne nuk është e rëndësishme të fitosh, por është ajo që ka më shumë vlerë, siç shprehej Boniperti. Ai dhe Del Piero përfaqësojnë DNA të Juventus”.
Në fund, nuk mund të mungonin disa fjalë për rivalin e përhershëm, Milanin. “Në politikën sportive, Milan mbetet aleati ynë më i fortë, në fushën e lojës është rivali ynë më i tmerrshëm”, ishin fjalët e Anjelit. (LajmeShqip.com)