Dani Alvesh dhe Tiago Alkantara janë detyruar të kërkojnë falje publikisht për shkak të një festimi të papërshtatshëm të golit që bënë gjatë fitores kundër Rajo Vajekanos. Pasi mesfushori gjeti rrugën e rrjetës në atë që ishte goli i pestë në suksesin 7-0 të katalanasve, ai iu bashkua kolegut brazilian duke festuar me një vallëzim para tifozerisë kundërshtare.
Por ky festim nuk i pëlqeu fillimisht kapitenit Pujol, i cili i ndali të dy lojtarët, ndërsa më pas ishte trajneri Pep Guardiola që gjatë konferencës për shtyp tha se shfaqje të tilla nuk ishin të denja për Barcelonën.
“Dua të kërkoj falje para tifozëve të Rajos të cilët e kanë ndjerë veten të ofenduar nga vallëzimi. Qëllimi im nuk ishte asnjëherë të ofendoja ndokënd, thjesht dëshiroja që t’ia kaloja sa më mirë”, ishin fjalët e Dani Alvesh pas përfundimit të ndeshjes.
Edhe Tiago Alkantara kërkoi menjëherë falje. “Kërkoj falje nëse kam ofenduar Rajon gjatë festimit. Emocionet e shënimit të golit më bënë që të gaboja. Nuk do të ndodhë më”, ishin fjalët e tij.
Ndërkohë, polemikat janë shtuar nga trajneri Sandoval i Rajo Vajekanos, i cili nga njëra anë ka lavdëruar Pep Guardiolën, ndërsa nga ana tjetër ka kritikuar lojtarët që nuk respektuan kundërshtarin. “Nuk e kuptoj pse Tiago dhe Alvesh nuk festuan kur shënoi Torres”, ishin fjalët e tij duke u kujtuar atyre humbjen me Çelsin në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)