Lufta për titull mes Juventusit dhe Milanit ka për protagonistë absolutë Masimiliano Alegrin dh Antonio Konte, dy trajnerët të cilët nuk humbin rast për të thumbuar njëri-tjetrin me deklaratat e tyre.
I pari ka qenë Alegri, i cili u ka kujtuar juventinëve se si titulli deri tani po vendoset nga episodi i golit fantazmë që nuk iu dha Muntarit në sfidën direkte mes dy ekipeve.
“Deri tani ka vetëm një episod që po ndikon kampionatin. Pastaj, ndoshta Juventusi përfundon me 6 pikë para nesh. Por për momentin është kështu. Nuk po flas për pozicionet jashtë loje kundër Katanias, nuk po flas për katër episodet e Firences apo gjëra të tjera të këtij lloji. Ka vetëm një episod dhe ai është vendimtar”, tha trajneri i kuqezinjve.
Nuk ka munguar replika e Antonio Kontes, i cili ka vendosur t’u përgjigjet një për një të gjitha provokimeve që vijnë nga kuqezinjtë. “Alegri ka thënë se nëse marrim 86 pikë atëherë e meritojmë titullin? Shumë mirë, jam i lumtur, edhe pse ai ndryshon opinion çdo javë. Të mos flasim më për episodet se këto biseda vazhdojnë të më mërzitin”.
“Penalltia e humbur e Pirlos? Ajo është faji i im, pasi nuk i kam stërvitur djemtë për gjuajtjet e penalltive, sepse nuk na i jepnin kurrë…”, ishte batuta e trajnerit të bardhezinjve duke i kujtuar Milanit se edhe Juventus ka vuajtur nga vendimet e gjyqtarëve. (LajmeShqip.com)