Përballja Milan-Juventus për Kupën e Italisë do të jetë më e ndezur se zakonisht edhe për shkak të ngjarjeve të fundit dhe të rivalitetit në kampionat mes dy skuadrave. Për këtë arsye, trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, u është kthyer polemikave rreth pezullimit të Ibrahimoviç.
“Episode të tilla ndodhin po nuk dënohen gjithmonë. Të dielën Zlatan ka paguar për të gjithë, por tani do të presim apelin. Me këtë ndalesë do të me detyrojë të praktikoj rotacionin” u shpreh ai me ironi.
Më pas, kishte kohë edhe për akuzat që Juventusi i bëri gjyqtarëve pas penalltisë së mohuar ndaj Sienës. “Flitet shumë që duhen ndihmuar gjyqtarët por me rastin e parë që shfaqet, ngrihet menjëherë një re polemikash. Unë dhe Milani kemi një stil tjetër veprimi”.
Por tekniku i kuqezinjve ka folur edhe për ndeshjen në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Duhet të bëjmë maksimumin për të siguruar finalen. Psikologjikisht mund të jetë shumë e rëndësishme edhe në luftën për titull. Nuk jemi në krizë dhe duam të luftojmë për të fituar Kupën e Italisë”, deklaroi tekniku i kampionëve në fuqi. (LajmeShqip.com)