Alban Meha ka bindur përfundimisht drejtuesit e Paderbornit të cilët pa u mbyllur sezoni i parë me fanellën e kësaj skuadre i kanë siguruar rinovimin për dy vite të tjera të kontratës që i përfundonte në verën e vitit të ardhshëm. Si rrjedhojë, futbollisti i cili javën e ardhshme mbush 26 vjeç, do të jetë pjesë e këtij klubi të paktën deri në verën e vitit 2015.
Paderborni ka marrë masa për të blinduar lojtarin i cili ka shkëlqyer që në vitin e tij të parë në Bundesligën 2. Meha këtë sezon ka luajtur 30 ndeshje, duke shënuar 5 gola por sidomos duke dhënë 9 pasime për gol, falë saktësisë që ka në gjuajtjet standarde ku është kthyer në një makth për portierët kundërshtarë.
“Albani e ka justifikuar plotësisht besimin tonë dhe ka arritur të gjejë vendin e tij në Bundesligën 2”, ishin fjalët e trajnerit të kësaj skuadre, Roxher Smith. I të njëjtit mendim ka qenë edhe menaxheri i futbollistit, Mikael Born, i cili pret një të ardhme më të mirë për këtë skuadër. “Rinovimi i hershëm i Albanit është një sinjal i rëndësishëm se skuadra ka një perspektivë të shkëlqyer”, ishin fjalët e tij.
Falë edhe kontributit të lojtarit kosovar, Paderborn mban aktualisht vendin e tretë në renditjen e Bundesliga 2, ndërsa kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur deri në përfundimin e kampionatit. Falë një pozicionimi të tillë, ky klub do të ketë mundësinë të luajë në play-off me skuadrën që renditet e treta nga fundi në Bundesligë, për të synuar ngjitjen historike në elitën e futbollit gjerman. (LajmeShqip.com)