Përjashtimi nga Korinthians dhe pushimi i detyruar për të paktën 4 muajt e ardhshëm pas operacionit të radhës ne thembër nuk ka bindur Adrianon që të braktisë futbollin e luajtur.
Sulmuesi brazilian vazhdon të ëndërrojë se do të kthehet protagonist, me fanellën e Flamengos, por edhe me atë të përfaqësuese së Brazilit, gjë që e ka pranuar në një intervstë të dhënë për “Tv Globo”.
“Perandori” ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga shpërblimi që meriton pasi Korinthians e shkarkoi nga puna. Ish-sulmuesi i Interit nuk e mohoi që nuk kishte përmbushur disa detyrime profesionale me skuadrën (67 çështje thyerje disipline sipas drejtuesve të Korinthians, pjesa më e madhe janë seanca fizioterapie), por bëri të qartë se “kishte lajmëruar gjithmonë më përpara se nuk do të shkonte në klub atë ditë”. Ai më pas pohoi se për shkak të sjelljes ishte “dënuar nga klubi duke u ndjerë i poshtëruar”.
Përsa i përket jetës së natës dhe konsumit të alkoolit, ai ka pranuar se është një frekuentues i rregullt i lokaleve dhe është i dhënë pas pijeve alkoolike. “Më pëlqen të pi alkool kur jam me miqtë, por të gjithë lojtarët e futbollit pinë, ky nuk është mister për askënd”.
Në fund, ka folur për të ardhmen e tij dhe faktin që refuzon të braktisë futbollin e luajtur. “Jam 30 vjeç, nëse ndalem sot, ndoshta një ditë do të pendohem për zgjedhjen që kam bërë. Objektivat e mi janë të kthehem të luaj për Flamengon, e sidomos për Brazilin, ndoshta në Botërorin e ardhshëm. Kjo është ëndrra ime dhe do ta ndjek deri në fund”. (LajmeShqip.com)