Katër vite ‘tiki-taka’ duket se kanë filluar të mërzitin njerëzit, të cilët duan të shohin pak rivalitet përballë armatës së pandalshme spanjolle. “Yahoo! Sports”, pas fitores 2-0 të Spanjës ndaj Francës në Euro 2012, ka publikuar 7 ide humoristike për të ndalur këtë dominim të këtij brez të artë të futbollit botëror, kuptohet që realiteti i ka lënë shumë vend imagjinatës…
Qafore elektrike – Meqenëse vendosja e limitit kohor për ndërtimin e një aksioni si në basketboll mund të mos funksionojë, propozohet që çdo lojtari të Spanjës t’i vendoset në qafë një qafore elektrike. Sa herë që skuadra kalon 65% mbajtjen e topit, të gjithë futbollistët duhet të marrin një goditje elektrike, në mënyrë që kundërshtarët të kenë mundësi të bëjnë diçka kundër tyre. Një ide bonus është që qaforja e Buskets të mos funksionojë, në mënyrë që tifozët ta tregojnë me dorë dhe të tallen me të sa herë që ai rrëzohet kot në tokë si shokët e skuadrës, duke u përdredhur sikur ka marrë goditje elektrike pa asnjë shkak.
Zhvillimi i ndeshjeve në fusha të thata – Ndeshja e vetme ku Spanja nuk mori një rezultat ideal në Euro 2012 deri tani ishte ajo e luajtur ndaj Italisë, e përfunduar me rezultatin 1-1 dhe ku spanjollët u ankuan se terreni ishte i thatë. Ndaj duhet vendosur që fushat ku luajnë ata të mos lagen para ndeshjes, në mënyrë që të shihet Ksavi që herë pas here mundohet të lagë me shishen e ujit zonën përreth tij.
Të detyrohet përdorimi i një sulmuesi në çdo ndeshje – Aktualisht, Fernando Lorente duhet të ketë më pak besim te vetja se një breshkë brenda një klubi nate.
Të emërohet Zhoze Murinjo trajner i kombëtares spanjolle – Trajneri aktual i Spanjës, Visente Del Boske, shihet nga të gjithë si një prani qetësuese në mes të kombëtares. Por me Murinjon në drejtim, acarimi në skuadrën që dominohet nga madrilenët dhe katalanasit do të merrte përmasa të jashtëzakonshme. Është tejet e vështirë të kontrollohet ndeshja kur trajneri inkurajon Serxho Ramos të mundohet të godasë Zherard Pike pas koke me flamurin e këndit.
T’i bëjmë të inatosen – Është shumë e lehtë të luash si robot kur kundërshtarët “parkojnë autobusin”, fshihen poshtë ndenjëseve dhe shpresojnë që të mos vriten shumë nga goditjet e spanjollëve. Por është më argëtuese kur tensioni dhe nervat janë të përfshira. Para çdo ndeshje, duhet ftuar Zlatan Ibrahimoviç në dhomën e zhveshjeve të Spanjës dhe suedezi duhet t’i shohë të gjithë në sy, një nga një, duke u thënë se ai është pafundësisht më i mirë se ata në gjithçka. Këtu përfshihen edhe pjekja e bukës, larja e dhëmbëve apo përgatitja e panineve. Ata gjithashtu do të jenë të detyruar çdo herë të blejnë autobiografinë e Ibrahimoviç.
Mario Baloteli – Mario Baloteli duhet të luajë në ndeshje, nuk ka rëndësi nëse me Spanjën apo kundër tyre.
Laksativë – Siç tregojnë shpesh filmat humoristikë, laksativët bëjnë gjithçka më argëtuese. Një pilulë për çdo lojtar spanjoll para ndeshjes do ta bëjë lojën më të freskët dhe ‘tiki-taka’ do të bëhet më e shpejtë, me një ndjenjë “urgjence”. Sigurisht që kthimi në fushë pas pushimit të ndeshjes do të jetë i ngadaltë por kjo mund të sjellë zëvendësime më të shpejta dhe ndoshta, ndoshta, Fernando Lorentes së gjorë mund t’i jepet shansi për të luajtur ndonjë minutë. (LajmeShqip.com)