Barcelona ka treguar se nuk do të dorëzohet në luftën për titullin kampion, duke ruajtur distancën prej 10 pikësh nga Reali i Madridit. Katalanasit kanë mundur 5-1 Valencian falë një ndeshje të jashtëzakonshme të Lionel Mesit, autor i katër golave.
Miqtë kanë thumbuar vetëm në fillimin e ndeshjes dhe kanë gjetur golin e avantazhit në minutën e 9-të me anë të Piati. Por kundërpërgjigja e katalanasve nuk ka vonuar me Mesin që barazon shifrat në minutën e 22-të.
Vetëm 5 minuta më vonë, argjentinasi gjen përsëri rrugën e rrjetës, këtë radhë duke arritur t’i heqë topin nga duart portierit Alvezh, për të mbyllur pjesën e parë në avantazh.
Pjesa e dytë kthehet në një dialog të vazhdueshëm të sulmit katalanas me portierin e Valencias që provon të shpëtojë portën e tij nga një goleadë. Por as ai nuk mund të bëjë asgjë ndaj Mesit në ditën e tij më të mirë, pasi në minutat 75 dhe 84, argjentinasi gjen edhe dy herë të tjera golin, për të festuar më së miri ndeshjen e tij të 200 me fanellën e katalanasve.
Në fundi ka pak lavdi edhe për Ksavin, i cili i futur në fushë në minutën e 85-të për të zëvendësuar Iniestën, rrumbullakos rezultatin 5-1 në minutën e 90-të, në prekjen e tij të dytë të topit për këtë mbrëmje.
Me këtë fitore, distanca mes Realit dhe Barçës mbetet 10 pikë, por katalanasit duket se e kanë kaluar momentin e vështirë, duke fituar bindshëm ndaj një prej skuadrave më të forta të kampionatit spanjoll. (LajmeShqip.com)