Alban Meha është kthyer në një lojtar të domosdoshëm për Paderborn, duke ndihmuar këtë skuadër jo vetëm në lojën në mesfushë, por edhe duke shënuar me rregullsi apo duke dhënë pasim të sakta. Futbollisti kosovar që ka shpërthyer këtë sezon në Bundesligën 2 vazhdon të mahnitë Gjermaninë me goditjet e tij të dënimit, ndërsa ka shënuar golin e 5-të sezonal në fitoren 3-2 ndaj Union Berlin.
I aktivizuar si titullar në mesfushë bashkë me kosovarin tjetër Alushi, Meha ka dhuruar një paraqitje mëse të mirë, ndërsa ka arritur që të gjejë përsëri rrugën e rrjetës me një goditje dënimi kur rezultati ishte 2-1 për ekipin e tij.
Ky ishte goli i 5-të në kampionat për futbollistin kosovar, ndërsa ai ka dhënë edhe 6 asist, duke u kthyer në lojtarin më të vlefshëm të skuadrës që tashmë gjendet në vendin e dytë në renditjen e Bundesliga 2 dhe synon ngjitjen një kategori më lart në sezonin ardhshëm.
Pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalon Meha, duket e çuditshme heshtja e FSHF që nuk është interesuar zyrtarisht për lojtarin për ta afruar në kombëtare dhe për ta pajisur me pasaportën shqiptare. Kjo heshtje duket edhe më e çuditshme duke parë se ai aktivizohet në një repart që do të pësojë një remont total pas largimeve të Skelës e Lalës. Fakti që futbollisti është një ekspert në goditje dënimi, mund të ishte një armë më shumë për përfaqësuesen shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)