Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 11:29

Tiranë – Për të patur imunizimi efikas të popullatës duhet koordinim i mirë i të gjitha strukturave qeveritare dhe joqeveritare, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në konferencën rajonale për vaksinimin në Evropen Juglindore, mbajtur sot në Hotel Rogner.

Sipas tij, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare të shëndetit publik zhduken variolën në të gjitha grupet e popullatës kudo në bote dhe poliomieliti eshte ne shifra globale më të ulëta se kurrë. Ndërsa, mungesa e rasteve me fruth në Shqiperi dhe ne disa vende te rajonit tone eshte nje shembull tjeter qe flet per kete.

“Nëse jemi në gjendje të ndërtojmë një mekanizem efikas koordinimi dhe veprimi së bashku me dedikimin dhe mobilizimin e të gjithë aktoreve, do te jemi ne gjendje te parandalojme shperthimet epidemike te metejshme dhe te sigurojme vaksinim efikas per kedo”, tha më tej ministri Vasili, duke theksuar se qëllimi i këtij bashkëpunimi të gjerë është pikërisht ofrimi i shërbimeve bazë cilësore të vaksinimit, si dhe shmangia e pabarazive në përhapjen e sëmundjeve infektive.

Synimi pergjithshem i ketyre vendeve është zhvillimi i nje platforme te perbashket rajonale qe do te pasqyroje praktikat me te mira dhe zgjidhjet per vendet e Evropes Juglindore, programet e vaksinimit per te kontrolluar dhe parandaluar perhapjen e rishfaqjen e semundjeve qe mund te parandalohen nga vaksinat, per çdo komunitet.

Ndërkohë, objektivat janë ndarja e problemeve të përbashketa dhe praktikave më të mira, arritjet dhe sfidat mbi shendetin dhe vaksinimin e popullsise rome dhe popullatave migruese, diskutimi i sfidave per regjistrin e vaksinimit, cilesine e te dhenave dhe mbulimin e monitorimit ne grupet e ndryshme te popullatave etj.