Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 14:30

Tiranë – Shqipëria mbetet ende ndër vendet e Evropës me lindshmëri të konsideruar të lartë, megjithatë në vitet e fundit ka një rënie të numrit të lindjeve, më e theksuar kjo në zonat urbane.
Sociologët thonë se gjendja ekonomike dhe emigrimi mbeten ndër shkaqet kryesore të kësaj rënieje.

Niveli total i lindshmërisë për vitet e fundit është 1,6 fëmijë për çdo grua, shifër kjo nën nivelin e zëvendësimit, bëhet e ditur nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor. Për zonat rurale, ky tregues është më i lartë se ato urbane, respektivisht 1.8 lindje dhe 1.3 lindje. “Ky ndryshim urban-rural në normat e lindjes së fëmijës, mund t’i atribuohet pothuajse ekskluzivisht grupmoshave të reja”, theksojnë specialistët.

Krahasimi i të dhënave midis Studimit Demografik dhe Shëndetësor me të Shëndetit Riprodhues të disa viteve më parë, tregon rënie nga 2.6 fëmijë për grua në 1999-2002, në nivelin 1.6 fëmijë për një grua në vitet 2006-2008. Por, ndërsa Shqipëria e viteve të regjimit komunist shënonte normë të lartë të lindjeve, pas viteve ’90, me ndryshimin e sistemit dhe stilit të jetesës, nisi të ulet në mënyrë graduale. Shkaqet, sipas sociologëve në tërësi janë komplekse, pasi sjellja në jetë e një fëmijë është problem social, ekonomik, etj.     
Ndër shkaqet kryesore të uljes së lindshmërisë, sociologët përmendin rritjen e moshës mesatare të martesës, rritja e numrit të divorceve, emigrimi i lartë i popullsisë në moshë riprodhuese, ndikimi i faktorëve ekonomiko-social, arsimor-kulturor e shëndetësor, rritja e ndjeshme në përdorimin e metodave të kontrollit të lindjeve, etj. Në syrin e  sociologut, lindja e një fëmije shtyhet, pasi është rritur mosha e martesës. Çiftet preferojnë të krijojnë një bazë ekonomike para se të krijojnë një familje të qëndrueshme. Shkak mjaft domethënës për uljen e lindjeve në vend është emigracioni, pasi emigron pjesa më fertile e popullatës.     

Nga ana tjetër, familjet sot nuk duan të kenë numër të lartë fëmijësh. Të dhënat e studimit treguan se ndër gratë e  martuara, 73 për qind raportojnë se nuk duan një fëmijë tjetër ose janë sterilizuar, ndërsa 20 për qind duan të kenë një fëmijë tjetër. Pjesa tjetër, 7 për qind, janë të pavendosur nëse do të bënin një fëmijë tjetër, ose thonë se nuk janë në gjendje të kenë një fëmijë tjetër.
Ndërsa, në vend, sipas të dhënave ka një popullatë të moshuar në masën 12 %, ndërsa pas vitit 2020 parashikohet që të arrijë në rreth 20 % të popullsisë së përgjithshme.