Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:15

Tiranë – Ngritja e një Zyre Koordinimi në Ministrinë e Punës për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mes Shqipërisë dhe Italisë për lidhjen e kërkesës dhe ofertës për punë, është një nga parashikimet e Memorandumit të Mirëkuptimit me Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale të Italisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës, nënshkruar në 2 dhjetor 2008 në Tiranë mes kryeministrave Berisha dhe Berluskoni.

Një delegacion i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Italisë ndodhet këto ditë në Tiranë për të diskutuar me palën shqiptare, përfaqësuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, rreth draftit të Memorandumit i cili, ndër të tjera, do t’u mundësojë shqiptarëve të marrin informacion të përditësuar rreth ofertave për punë që vijnë nga tregu italian i punës dhe të paraqesin kërkesat e tyre për të përfituar nga këto oferta.

Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet ngritjes së strukturave përkatëse, të cilat do të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve, ku një vlerë të madhe merr ngritja e Zyrës së Koordinimit pranë Ministrisë shqiptare të Punës, e cila, sipas parashikimit dhe vullnetit të shprehur nga të dy delegacionet do të ngrihet në shtator të këtij viti, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit nga ministrat homologë.

Takimi i mbajtur dje mes dy delegacioneve në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta pason takimin e zhvilluar në Romë disa muaj më parë, në qendër të të cilave ishte hartimi i një dokumenti të përbashkët, i cili do të bëjë të mundur krijimin e kushteve për nxitjen e menaxhimit të bashkërenduar dhe efikas të flukseve migratore.

Përfaqësuesit e delegacionit italian në fillim të takimit bënë një pasqyrë të ekonomisë italiane, trendit të tregut të punës, rregullimit ligjor në fushën e marrëdhënieve të punës si dhe profesioneve në të cilat mund të jenë më së shumti të fokusuara ofertat e punëdhënësve italinë për punëmarrësit shqiptarë, si shërbime turizmi, ndërtim dhe agrokulturë.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ilir Ibrahimi, u shpreh se “marrëveshjet e punësimit me vendet kryesore të destinacionit për punëtorët emigrantë shqiptarë janë të një interesi të veçantë për Qeverinë shqiptare, si nga pikëpamja e adresimit të nevojave të tregut shqiptar të punës, ashtu edhe nga këndëvështrimi i menaxhimit të flukseve migratore dhe gjendjes së migracionit shqiptar në këto vende”.

“Miratimi i një Memorandumi të tillë do të shërbejë si fillesa e një bashkëpunimi të vazhduar në të ardhmen në fushën e migracionit, punësimit dhe formimit profesional me Italinë”, u shpreh Ibrahimi.

Memorandumi, i cila do të firmoset në muajt në vijim, do të institucionalizojë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat që mbulon dhe do të shërbejë si një sipërmarrje e përbashkët, ku institucionet shqiptare dhe ato italiane respektive angazhohen në ngritjen dhe funksionimin e një skeme migracioni qarkulluese, duke maksimizuar përfitimet e përbashkëta.

Ministria e Punës i shprehu delegacionit italian angazhimin se me strukturat e saj dhe partnerët është e gatshme të angazhohet në përzgjedhjen, përgatitjen e punëtorëve emigrantë nga Shqipëria, si dhe në asistimin e tyre me shërbime riintegrimi pas kthimit në Shqipëri.

Draft-Memorandumi parashikon që palët nënshkruese të bashkëpunojnë për krijimin e kushteve për menaxhimin e bashkërenduar dhe efikas të flukseve migratore, me synim lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, rekrutimit dhe vendosjes së shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës, në rast të mungesës së krahut të punës atje. Po ashtu, palët angazhohen të nxisin rrugët ligjore të migracionit, nëpërmjet mekanizmave të punësimit sezonal, kurseve të trajnimit, etj.

Firmosja e këtij Memorandumi do t’u mundësojë shqiptarëve që të përfitojnë në mënyrë të pakufizuar nga ofertat në tregun italian të punës si dhe të përmirësojnë profilin e tyre profesional.