Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:49

Tiranë – Projekti i ndërtimit të 385 apartamenteve me qëllim social në zonën e Shkozës, i cili nisi rreth 3 vjet më pare, u inagurua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Sipas Bashkisë, projekti u mundësua nëpërmjet një kredie nga Banka e Këshillit të Europës. Këto banesa janë vetëm kontingjenti i parë, që do të përdoret për të strehuar familjet, të cilat në një periudhë të caktuar gjenden në vështirësi ekonomike dhe në pamundësi për të përballuar strehimin në tregun e lirë.

Duke theksuar se Bashkia ka patur në vëmendje politikën strehuese integruese, Rama vlerësoi se kompleksi i ri i pallateve ka standarte europiane dhe në të do të strehohen dhjetra familje që për vite të tëra kanë statusin e të pastrehit për shkak të problemeve të ndryshme ekonomike apo janë gjendur të tillë në rrethana jo të zakonta.

“Ky është modeli i zhvillimit të politikës sonë të strehimit, është një model europian, është një model i integruar që ka brenda një sërë komponentësh të dosmodoshëm për të patur një politikë strehimi integruese”, tha Rama.

Ky projekt ka si qëllim të krijojë një model modern të bashkëjetësës në komunitet, i cili do të menaxhohet tërësisht nga Bashkia e Tiranës dhe në të ardhmen do të aplikohet edhe në zona të tjera të qytetit të Tiranës.

Katet e para të këtij kompleksi, rreth 3000 m2,  janë projektuar për të zhvilluar të gjithë gamën e shërbimeve të nevojshme tregtare, për një komunitet, duke krijuar kështu mundësi punësimi dhe vetëpunësimi për banorët e kësaj zone.