Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 14:05

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apeloi sot, në ceremoninë e çeljes së Lojërave Olimpike Speciale, për më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Lojërat Olimpike Speciale, një veprimtari sportive për njerëzit me aftësi të kufizuara, ndezën sot pishtarin e çeljes së tyre në Presidencë, të cilin Bamir Topi, ia dorëzoi sportistëve pjesëmarrës në këto lojra.

“Ky aktivitet tashmë ka krijuar bazën e traditës së tij. Jemi për të 4-in vit radhazi në këtë institucion të nderuar të shqiptarëve, i cili me shumë motivim, me shumë përgjegjësi, bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje, e cila në vetvete ka një motiv shumë fisnik, me një motivacion shumë kompleks, që do të thotë dëshirë për jetën, dëshirë për garën, për pjesëmarrjen, dëshirë për tolerancën, për paqen”, tha Kreu i Shtetit.

Duke iu drejtuar sportistëve, Presidenti Topi u shpreh se suksesin e madh ju e keni arritur me pjesëmarrjen në këtë garë.

Presidenti iu drejtua edhe prindërve të këtyre sportistëve, duke theksuar se, ata me shumë dashuri kanë rritur, edukuar dhe vazhdojnë të edukojnë fëmijët e tyre me probleme të caktuara fizike, por që kurrsesi nuk mund të kenë pengesë për të shijuar jetën, për ta përballuar atë, për të qenë të barabartë me të gjithë të tjerët.

“Bota jonë njeh shembuj emblematik të pjesëmarrjes dhe fitimit të garave dhe nga njerëz me aftësi të kufizuara. Do të thotë që për një njeri me vullnet, nuk ka asnjë lloj pengese”, u shpreh Presidenti Topi, i cili shtoi se këto lloj garash kërkojnë suporte morale, institucionale dhe financiare.

“Dëshiroj të bëj një apel për një suport më të gjerë, për një rritje të ndjeshmërisë humane nga të gjithë, në radhë të parë nga institucionet, së dyti nga biznesi dhe më pas nga mbarë shoqëria”, apeloi Presidenti.

Duke lëshuar një mesazh edhe për familjet në nevojë, Presidenti Topi tha se “sot Shqipëria ka progresin e vet, ka problemet e saj, por ju këtë ditë do ta ktheni në një dominant, për të cilin shoqëria shqiptare ka shumë nevojë, për tolerancë, për mirëkuptim, për gjithëpërfshirje, sepse kjo do ta bëjë shoqërinë më humane, më të ndjeshme, ku vlerat e gjithsecilit do të kthehen në një të mirë të përgjithshme për Shqipërinë”.