Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 07:36

Tiranë – Përfitimet e personave para dhe tetraplegjik janë rritur çdo vit që nga viti 2005.  Aktualisht sipas Ministrisë së Punës, një person me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjik përfiton nga buxheti i shtetit në total 78.717 lekë në muaj, ndërkohë që në vitin 2005 kjo shumë llogritej në 47 216 lekë. Ndërkohë që buxheti i shtetit, po mbeshtet me një buxhet prej 1 milion lekë Shoqatën e Invalidëve Para dhe Tetraplegjike.

Por përfaqësuesit e përsonave me aftësi të kufizuar, në ditën e katërt të grevës që po zhvillojnë në ambientet e Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjike, thonë se pagesa e tyre mjore shkojnë deri në 34 mijë lekë në muaj.  Ata i kërkojnë qeverisë rritje të karburantit në 80 litra në muaj për mjetet me të cilat lëvizin, paketë higjieno-sanitare prej 30 mijë lekësh të reja, strehim falas dhe rritje të pagesës së kujdestarisë.

Nga ana e saj Ministria e Punës, ripërsëriti sot se, Qeveria shqiptare e ka konsideruar si një nga prioritetet e saj kryesore çështjet e aftësisë së kufizuar.

Përmes zëdhënëses, kjo ministri bëri të ditur se, “nga viti në vit trajtimi i Personave me Aftësi të Kufizuara ka pasur vëmendjeje nga ana e shtetit, jo vetëm në drejtim të mbështetjes financiare, por edhe në rëndësinë e integrimit e pjesëmarrjes së tyre të plotë në shoqëri”.

Duke filluar nga dhjetori 2010, pagesat për kategoritë e PAK janë indeksuar dhe konkretisht nga viti i kaluar këto pagesa indeksohen me indeksin e çmimeve të konsumit, që gjate vitit te kaluar rezultoi në masën 3.5 %.

Gjatë kësaj periudhe, një vëmendje të veçantë i është kushtuar përmirësimit të legjislacionit, i cili mbështet përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin e personave para dhe tetraplegjik.

Kështu, në zbatim te Ligjit te Urbanistikes, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, realizoi objektivin “Sigurimi i jetesës pa pengesa për personat me aftësi të kufizuar, duke hartuar rregulloren për këtë qëllim ne vitin 2008, në të cilën është parashikuar edhe heqja graduale e pengesave ekzistuese arkitektonike, urbanistike e të transportit dhe të parandalojë shfaqjen e pengesave të reja”.

Sipas ministrisë së Punës, sigurimi që ndërtesat – qofshin ato publike ose private – si dhe mjetet e transportit dhe rrugët të jenë të aksesueshme, është një objektiv që mund të arrihet vetëm në mënyrë graduale.

Përmirësimet në ligjin Për Strehimin, i cili pritet të miratohet së shpejti, parashikohet që përveç kredive të zbutura për strehimin e kësaj kategorie, Shteti do të subvencionojë me grande falas për ambiente të nevojshme specifike.

Një person me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjik përfiton pagesën e aftesisë së kufizuar,pagesën për kujdestarinë; paketën higjenosanitare; kompesimin e energjisë elektrike; pension invalidi; kompesim karburanti dhe telefoni; rimbursimin e ilaceve, reduktimi e tarifave të trasportit urban e interurban dhe tarifat e reduktuara doganore.

Me nënshkrimin e Konventës së OKB-së “Për të drejtat e PAK” nga Qeveria Shqiptare, ministria e Punës ka ngritur grupin e punës në të cilin janë përfshirë përfaqësues të të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse, që ka si synim ratifikimin e saj vitin e ardhshëm. Procesi ka në themel të tij përputhjen e legjislacionit shqiptar me parimet e  Konventës, për të patur një legjislacion gjithëpërfshirës për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar.

Në këtë proces janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Aftësisë së kufizuar.