Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 17:43

Tiranë – Ka filluar sot shpërndarja e rritjes së pensioneve, nga e cila përfitojnë 570. 561 pensionistë në të gjithë Shqipërinë.

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Evelina Koldashi, gjatë deklaratës për shtyp të mbajtur sot pranë ambienteve të ISSH tha se, “pensionet në qytet janë rritur në masën 4 për qind, ndërsa ato në zonat rurale në masën 7 për qind”. Po ashtu, sipas saj, janë rritur në masën 4 për qind të gjitha pensionet suplementare dhe trajtimet e veçanta”.

“Nga kjo rritje përfitojnë 160. 000 pensionistë në zonat rurale, 385 000 në zonat urbane dhe 25. 000 nga programe të veçanta qeveritare”, tha ajo.

Koldashi vuri në dijeni se “fondi i vënë në dispozicion për këto ndryshime është 270 milion lekë në muaj, ndërsa për pjesën e mbetur të vitit 2011 është 1. 634 miliardë lekë”.

Pas kësaj rritje, të ardhurat minimale për pensionin minimal të qytetit ndryshojnë nga 12 480 lekë në 13 267 leke, ndërsa të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit nga 21 880 lekë në 22 734 lekë.

Në zonat rurale, të ardhurat e pensionit të plotë ndryshojnë nga 7 870 lekë në 8 358 lekë dhe pensioni maksimal ndryshon nga 11 117 lekë në 11 317 lekë.

Koldashi, gjithashtu siguroi të gjithë pensionistët të cilët kanë tërhequr pensionet e tyre nga data 1-5 korrik dhe për pasojë nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ndryshim, se mund t`i tërheqin diferencat e tyre sipas kalendarit që ka publikuar ISSH në zyrat zonale të shpërndarjes së pensionit .

Në përfundim të deklaratës për shtyp Drejtoresha e ISSH, theksoi se “edhe pas kësaj rritjeje çdo pensionist krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë kompensim të të ardhurave të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave”.

Kjo rritje e pensioneve vazhdon tashmë prej 6 vitesh në Shqipëri si pasojë e reformave të qeverisë dhe privatizimeve. Në këto 6 vite rrogat e arsimtarëve, krahasuar me rrogën fillestare janë rritur 120 për qind, po kaq janë rritur rrogat e mjekëve dhe infermierëve, gjithashtu janë rritur mbi 120 % të gjitha pensionet e ulëta në Republikën e Shqipërisë

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 1 korrik, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se “është modeli i sukesshëm ekonomik që bënë të mundur rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve”. “Jashtë kësaj performance, jashtë suksesit të modelit ekonomik ekzistues, rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte tërësisht e paimagjinueshme”, tha Kryeministri.