Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 16:48

Tiranë – Situata e vështirë e furnizimit me medikamente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë vazhdon prej disa muajsh, ndërkohë që pacientët vazhdojnë të ankohen edhe për mungesën e materialeve bazë. Ankesat vijnë nga vetë pacientët, por situata e vështirë pohohet edhe nga vetë personeli. Situata bëhet më e vështirë kur bëhet fjalë për blerjen e medikamenteve të shtrenjta.

Ndërkaq, drejtori i QSUT, Sajmir Ivizku, pranoi pak kohë më parë situatën, duke ritheksuar se po merren masat e nevojshme për të bërë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe në përputhje me ligjin përsa i përket mungesës së medikamenteve. “Ajo që duhet të kuptojmë është se aktualisht punojmë me një ligj të caktuar të prokurimeve, i cili në fakt mund të krijojë probleme në kuadrin e efekteve kohore, por nga ana tjetër të gjithë e dimë mirë, korrektësinë dhe respektimin e ligjit në drejtim të transparencës në këto raste të bërjes së tenderave, por edhe në rritjen e konkurrencës”, u shpreh Ivziku.

Nga ana tjetër, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, hedh poshtë  zërat për ndryshim të ligjit të prokurimeve për barnat në spitale, duke theksuar se “ligji i prokurimeve në Shqipëri është një dhe vetëm një. Ligji është online dhe transparent, para të cilit janë të gjithë të barabartë”.

“Ligji është shumë i mirë, nuk ka kthim prapa dhe kjo është vendosmëri e qeverisë, sepse ka mundësuar uljen e korrupsionit dhe rritjen e transparencës dhe duhet ta respektojmë. Drejtuesit e institucioneve duhet të bëjnë tenderat në kohë”, tha Pipero, duke vënë në dukje uljen e korrupsionit në shëndetësi.

“Jo çdo mungesë medikamenti në spitale do të thotë mangësi e ligjit, apo mungesë e hapësiave ligjore për të realizuar tenderat në kohë të medikamenteve për të plotësuar nevojat e spitaleve për to”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se “drejtuesit e spitaleve duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të respektojnë ligjin në maksimum për të mundësuar furnizimin e spitaleve me ilaçe në kohën e duhur”. Megjithatë, ai pranon se në spitale gjithmonë do të mungojnë medikamente të veçanta, të cilat janë patente që sapo kanë dalë në treg, etj, por asnjëherë nuk duhet të mungojnë ato bazë, të urgjencës, për operacionet, etj, që sigurojnë shërbimin optimal ndaj qytetarëve.

Referuar QSUT, Pipero thotë se kjo qendër terciare ka një veçori se është qendër e madhe, ndaj dhe mund të ketë nevojë, që në respekt të ligjit, procedura mund të jetë më afatgjatë nëse termat nuk ndryshojnë dhe çmimet e tregut nuk kanë ndryshime.

Referuar reformës në shëndetësi, me përfshirjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë prodhon politika, administrimi i buxhetit të spitaleve bëhet nëpërmjet Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa administrimi i fondeve për furnizimin me medikamente bëhet nga drejtuesit e vetë spitaleve.