Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 08:42

Tiranë – Të gjitha ilaçet që do përdoren në spitale do të përmbajnë një pullë të re, ku do të shkruhet “Përdorim Spitalor – Ndalohet shitja”.

Urdhri më i fundit i Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, synon uljen e abuzimeve lidhur me ilaçet për përdorim spitalor. Ndërsa, nëse farmacistët do t’u ofrojnë pacientëve barna me këtë pullë, do t’u hiqet menjeherë licenca, paralajmëroi ministri Vasili.

Vasili u shpreh se “në rast se ndonjë i papërgjegjshëm do të guxonte të bënte lëvizje të barnave nga spitali në farmacitë e rrjetit të hapur atëherë qëndrimi do të jetë vetëm një. Konstatimi i kësaj shkeljeje do të thoshte ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit dhe heqja automatike e liçencës”.

Sipas urdhrit, në rrjetin shëndetësor publik lejohen të qarkullojnë barna me pullë sigurie dhe çmim për rrjetin e hapur farmaceutik, vetëm nëse ato mbajnë vulën përkatëse (Përdorim spitalor-ndalohet shitja).