Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:35

Tiranë – Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka përshëndetur projektin për mbështetjen e reformës në shëndetësi, e lançuar me mbështetjen e USAID-it, duke kërkuar të mos harrohen infermierët si pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor.

Presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, thotë se pa vlerësuar infermierët dhe pa reformuar e përmirësuar cilësinë e kujdesit infermierior, nuk mund të ketë një reformë të plotë dhe të suksesshme në shëndetësi. Nëpërmjet një deklarate për mediat, UISH shpreh mendimin që kjo reformë të bëhet, duke filluar së pari nga legjislacioni për kujdesin shëndetësor, si dhe nga reformimi i institucioneve shëndetësore, në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, UISH përmend si një element të padiskutueshëm dhe me mjaft rëndësi për realizimin e reformës në shëndetësi, atë të menaxhimit të institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore.

“Vlerësim i rëndësishëm duhet bërë ashtu siç e tha edhe Kryeministri para pak ditësh për reformën në shëndetësi për menaxhimin e institucioneve, dhe të gjitha shërbimet shëndetësore”, konsideron UISH.