Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 18:23

Tiranë – Në Shqipëri ka rreth 31 mijë fëmijë pa prindër që përballen me probleme sociale.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, Ilir Çumani, në ditën kombëtare të fëmijëve jetimë, kërkoi më tepër vëmendje nga ana e shtetit për jetimët socialë, pasi ata biologjikë janë nën kujdestarinë e institucioneve.

Në këtë ditë të gjitha institucionet publike apo private organizuan aktivitete, duke përcjellë për këta fëmijë mesazhe të rëndësishme, por edhe apelojnë për më tepër vëmendje për ta.

“Legjislacioni parashikon mbështetje për fëmijët jetimë biologjikë. Për ata socialë, ata dalin nga dyert e institucioneve dhe shteti heq dorë. Kështu që lipset përmirësim i kuadrit ligjor, ku parashikohet mbrojtja e fëmijëve jetimë socialë”, shprehet Çumani.

Megjithatë, sipas Çumanit, situata për këta fëmijë është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me vite më parë.

Një tjetër problematikë me të cilën përballen fëmijët jetimë është strehimi. Fëmijët jetimë në moshën 15-vjeçare, kur lënë shtëpinë e fëmijës, të vetmen mundësi strehimi kanë konviktet e shkollave të mesme, kur vijojnë arsimin e mesëm profesional.

Por ka edhe nga ata që strehohen pranë shoqatave, deri në moshën 18-vjeçare, por ka dhe nga ata të rinj që mbeten të pastrehë.

Deri tani nga shërbimi social shtetëror trajtohen në qendrat rezidenciale, rreth 600 të mitur jetimë.

“Fëmijët trajtohen nga mosha 0-15-vjeçare edhe në raste të veçanta shkon deri në moshën 18-vjeçare, kur fëmija nuk ka mbaruar arsimin 9-vjeçar. Ata fëmijë që kanë fituar statusin e jetimit kalojnë direkt në konviktet që manaxhohen nga pushteti vendor”, -tha Gazmend Zito, Shef i Shërbimit për Fëmijët Jetimë pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Në ditën kombëtare të fëmijëve jetimë, apeli i strukturave përkatëse, është për më shumë bashkëpunim mes pushtetit qëndror dhe vendor, pasi i takon këtij të fundit, tashmë si pasojë e procesit të decentralizimit, t’u ofrojë një strehëz fëmijëve jetimë pas moshës 15-vjeçare, nësë ata gëzojnë statusin e jetimit.

Kategorisë së jetimëve aktualisht u ofrohet mbrojtje dhe përkrahje bazuar në Ligjin “Për Statusin e Jetimit”, status që u jepet të gjithë personave me moshë deri 25 vjeç, jetimë biologjikë. Këtë status e përfitojnë 845 persona në të gjithë vendin.

Jetimët trajtohen me prioritet në punësim, u ofrohet formim profesional falas, u mundësohet e drejtë studimi sipas aftësive, mbështeten me bursë të plotë dhe trajtime veshmbathjeje nga shteti për të gjitha vitet e shkollimit, trajtohen me ndihmë ekonomike pasi kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë filluar punë, si dhe shërbim mjekësor dhe transport falas.

Një nga përfitimet në bazë të Statusit të Jetimit është vendosja e tyre me prioritet në institucionet e përkujdesit shoqëror. Tanimë, të gjitha shtëpitë e fëmijëve shkollorë janë pajisur me klasa informatike dhe nëpërmjet fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit dhe një projekt i Bankës Botërore, është investuar për rikonstruksionin dhe pajisjen e tyre me bazë materiale të nevojshme, duke përmirësuar kështu ndjeshëm kushtet që u ofrohen fëmijëve në to.

Asistimi me profesionalizëm i etapave më të rëndësishme në jetën e fëmijës jetim, duke filluar nga sistemimi në institucion, dhënia në kujdestari dhe, së fundmi, kthimi në familjen biologjike (ose gjetja e një familjeje birësuese), janë ndër objektivat primare të punës së Shërbimit Social Shtetëror, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Birësimit (KSHB).