Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 09:00

Tiranë – Qyteti i Tiranës ka nevojë për një spital rajonal, ndërsa duhet bërë më shumë sa i takon ndihmës sociale ndaj nënave shtatzana për të patur fëmijë të shëndetshëm, u tha në takimin “Iniciativa për Tiranën”, mbajtur në Akademinë e Shkencave më Tiranë.

“Prej kohësh në institucionin tonë ndiqen fëmijët me probleme, kemi bërë një skedë dhe po studiojmë arsyet. Ka familje në asistencë që nuk kanë bazën e duhur ekonomike edhe për të ndjekur një shtazani të shëndetshme”, tha Halim Kosova, drejtor i Maternitetit Mbretëresha Geraldinë në Tiranë.

Sipas tij, nuk mjafton që këtyre familjeve t’i japësh një paketë për muajin, por shumë më e domosdoshme një ndihmë për to, në mënyrë që të ketë në fund një fëmijë të shëndetshëm.

Kjo, sipas tij, do të thotë kosto më e paktë për sistemin shëndetësor.

“Një fëmijë që del me probleme nga materniteti, ka barrë dhe për sistemin shëndetësor, që do ta trajtojë atë për gjëra që mund të parandalohen”, tha Kosova. “Në zanatin tone ka një sekret; gjërat e mira dhe të mëdha vijnë duke bërë saktesisht ato të vogla dhe ne për këtë kemi nevojë, që të kemi fëmijë të shëndetshem e familje pa probleme”, theksoi ai.

Ndersa, mjekja Jera Kruja ngriti problemin e nje spitali rajonal për Tiranën. “Qendra Spitalore Universitare nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet që janë në Tiranë. Presupozohet që QSUT me 1400 shtretër të zgjidhen problemet e ndërlikuara të të gjithë vendit dhe të përballohet popullata e Tiranës, me rreth 700 mije banorë”, tha ajo.

Kruja shtoi se “Bashkia e Tiranës mund të kontribuojë për të krijuar kushte, premisa për një spital rajonal apo të qytetit, që do ta lehtësojë QSUT”.