Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 18:09

Tiranë – Shqipëria dhe Kosova në fushën e mjekësisë kanë të njëjtat probleme financiare, lidhur me çështjen e furnizimit të spitaleve me medikamente. Shkëmbimi i eksperiencave në gjetjen e rrugëve të zgjidhjes në këtë çështje, ka qenë një nga temat kryesore të takimit të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe homologut kosovar, Ferid Agani.

Ndërkohë, në këtë vit emërimi i shefave të shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare do të bëhet sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, miratuar disa muaj më parë. Janë 85 vende për të cilat është hapur konkursi dhe për 35 prej tyre është paraqitur vetëm një kandidaturë, ajo e shefit aktual.

I pyetur nga gazetarët se si do të veprohet për këto raste, Ministri Vasili shprehet se, “do të zbatojë ligjin”. Sot është pritur të shqyrtohen kadidaturat për shefa shërbimesh. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, në bord duhet të paraqiten të paktën dy kadidatura. Mandati i një shefi shërbimi zgjat 4 vite. Aktualisht, në QSUT ka shefa shërbimesh që janë në një detyrë të tillë prej 20 vitesh. (LajmeShqip.com)